27.09.2019 · përditësuar para 2500 dite1 min lexim
Shqiptarët janë të mirëpritur në Bashkimin Europian.
Në një intervistë për Deutsche Welle, nënkryetarja e grupit Parlamentar CDU/CSU, Katja Leikert, tha se Bundestagu do të vazhdojë ta shoqërojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së.
Ajo ka treguar edhe se si duhet të kuptohen kushtet e vendosura ndaj Shqipërisë.
“Jemi konsultuar shumë gjatë në Bundestagun gjerman. Për Maqedoninë e Veriut çështja është relativisht e qartë. Me Shqipërinë, padyshim u morëm shumë më tepër. Ne e dimë se situata politike e brendshme nuk është demokratike në kuptimin tonë. Opozita ka braktisur parlamentin, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk funksionon".
"E dimë se ka ende probleme me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Të gjitha këto janë, natyrisht, gjëra që janë problematike dhe të cilat ne duhet t’i shikojmë nga afër. Por, ne thamë 'po' sepse donim që t’ju jepnim shqiptarëve sinjalin nga Bashkimi Europian se janë të mirëpritur në Europë dhe se ky është drejtimi i tyre".
"Shumë shqiptarë po largohen nga vendi, sepse nuk shohin aty perspektivë. Kjo nuk mund të jetë e ardhmja e një vendi. Është një vend shumë i bukur dhe ne duam ta shoqërojmë në rrugën e demokratizimit dhe të BE-së”.
Leikert kishte një apel për PD-në dhe për gjithë spektrin politik shqiptar.
“Unë u bëj thirrje të gjitha forcave demokratike në Shqipëri, si atyre të qeverisë, ashtu edhe të opozitës që të marrin pjesë në proceset demokratike dhe këtë ta bëjnë jo jashtë parlamentit. Kjo nuk mund të jetë mënyra e duhur”.
Leikert kujtoi se janë 35 kapituj që duhen negociuar dhe theksoi se në Bundestag do ta shoqërojë këtë proces dhe do të jenë shumë aktiv./ Top Channel
●●●
Shpërndaje këtë artikull
LH
SHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.