Lajmet e fundit

Kandidatët për deputetë nga LDK-ja, Avdullah Hoti dhe Kujtim Shala, kanë shpalosur disa pika të programit të tyre rreth arsimit.
Hoti tha se ndër hapat e parë që do ta bëjnë është rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve në sistemin parashkollor, njofton Klan Kosova.
“Te ne jo më shumë se 5 deri 7 për qind marrin pjesë në arsimin parashkollor nga mosha 4 deri në 5 vjeç. Këtë përqindje do ta rrisim në 50 për qind. Shkollat janë të ndërtuara të reja, infrastruktura është e gatshme por janë të zbrazura dhe ne do t’i mbushim”.
“Profilizimi i nxënësve – fëmijët që kanë nevojë për këshilldhënie. Nga mosha 3 vjeçare për të absorbuar ato aftësitë e përgjithshme dhe në klasën e 10-të të profilizohen”.
“Kemi arsimtarë të shkëlqyeshëm por që duhet punuar me ata për të marrë njohuri. Në shkollat e mesme do të ketë arsim profesional dual, pra gjysmën e javës në shkollë dhe gjysmën në biznes”.
“Profilizimi universiteteve – për shembull shkencat mjekësore të jenë në Prishtinë, ekonomia dhe zhvillimi në ndonjë universitet të regjionit, që të mos kemi profile të njëjta në të gjitha universitet. Të rrisim arsimin e lartë profesional dhe ta lidhim atë me ekonominë”.
“Orientimi në karrierë duhet të fillojë nga klasa e 9-të dhe e 10-të. Programi jonë në këtë drejtim është i qartë. Universitet në regjione janë themeluar mbi baza elektorale, pa studim dhe plan të qartë. Tri universitete nuk kanë marrë akreditime, sepse nuk janë mbështetur me staf të mirë akademik dhe profesional”.
Ndërkaq, Shala në Zona Zgjedhore në Klan Kosova ka thënë se në prioritet kanë reformimin e universiteteve si dhe lidhjen me tregun.
“Në arsim duhet bërë reformimin apo një tip të ndarjes së tij duke ndjekur parimet klasike. Logjika është profilizimi, universitet të programeve që të lidhen me tregun e punës apo me ofertën.
“Kurrikulat e para kanë qenë shumë më të mira para luftës sesa janë bërë pas. Universitetet ndryshe funksionojnë në këtë aspekt sepse mund të marrin shembull edhe universitete të tjera”.
“Ai që e ka dijen e gjen mënyrën si ta japë atë. Duhet të gjejmë njerëz që krijojnë teknika dhe ky është problem themelor që s’kapërcehet lehtë”.