Lajmet e fundit

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmes një komunikate ka reaguar ndaj gjuhës sipas tyre denigruese që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka përdorur ndaj kryeministrit njëherit liderit të LDK – së, Isa Mustafa si dhe ndaj dy bartësve të tjerë të institucioneve kryesore të Kosvoës, Presidentit Hashim Thaçi si dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli.
LDK-ja konsideron se sinkronizimi i këtij fjalori të ulët me thirrje për linçime, veprime antiligjore, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe sulmet ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit e familjeve të tyre, kanë për qëllim të shkaktojnë tensione për përfitime të pastra politike të një grupi, që nuk përfaqëson interesat dhe as vullnetin e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.
Sipas tyre as gjuha e ulët, as linçimet, as kërcënimet dhe as sulmet qyqare, nuk do të mund ta ndalin përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u shërbyer qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjithashtu ka siguruar qytetarët dhe miqtë e saj euro – atlantik se vendimmarrja e LDK – së, do të jetë gjithmonë në shërbim të interesave të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Ata i kanë bërë thirrje opozitës që të heqin dorë nga metoda të tilla dhe t’i kthehen angazhimeve të saj, në përputhje me mandatin që kanë, në respekt të Kushtetutës, standardeve demokratike dhe vlerave tradicionale të Kosovës dhe qytetarëve të saj.