Lajmet e fundit

Bashkë me anëtarët e tjerë të partisë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nderoi Nekibe Kelmendin në 10 vjetorin e vdekjes.
Për ish-aktivisten dhe nënkryetaren e partisë thuri fjalë të mëdha.
“Prej aktivisteve më të devotshme dhe më simbolike që LDK-ja ka pasur ndonjëherë, jo vetëm aq. Me vetë faktin që ka humbur një familje, burrin me dy djemtë, dhe ka arritur të punojë për Kosovën është model për secilin prej nesh, model dhe frymëzim”.
Në krah Abdixhiku pati Kosovaren, vajzën e Nekibes, e cila rrëfeu si e kujton nënën nga e cila ka trashëguar edhe profesionin e avokates.
“Unë e kujtoj atë si një simbol të qëndresës e cila arriti që me gjithë forcën e saj vuajtjet t’i shndërrojë në luftë për pavarësi të vendit tonë dhe shtetndërtimit”, tha ajo.
Pasi përfundoi homazhet tek varri i Kelmendit, që veç shumë angazhimesh tjera për shtetin shërbeu edhe si Ministre e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abdixhiku u morr pak edhe me qeverinë aktuale.
Zëdhënësit të ekzekutivit, Përparim Kryeziu, që një ditë më herët e quajti të pavlefshme ligjërisht marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington i dha një epitet.
“Qaq din ai i shkretë...”.
Kjo ujdi e nënshkruar mes palës kosovare dhe asaj amerikane, në 16 pika rregullon kryesisht çështje ekonomike dhe diplomatike.