Lajmet e fundit

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje njëherit kryeministrit në detyrë Albin Kurtit.
Kështu LDK-ja refuzon t'i shkojë në takim konsultativ Vetëvendosjes, për formimin e Qeverisë.
Kjo u bë e ditur nga Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjes Demokratike përmes një shkrimi në Facebook transmeton Klankosova.tv
"Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin. Dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë", tha Abdixhiku.
"Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë", shtoi Abdixhiku.
Abdixhiku deklaroi se partia që ai drejton nuk do të bëjë pengesë në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
"LDK e pret dhe e mbështetë konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstituojmë Kuvendin e Republikës. LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta", deklaroi i pari i LDK-së.
Të hënën, Albin Kurti, iu drejtua zyrtarisht Lumir Abdixhikut me anë të një letre, duke i kërkuar takim për t'u konsultuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë.