Lajmet e fundit

LDK-ja e ka caktuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e reja që do të mbahen së shpejti në vend.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, njofton Klan Kosova.
“Vlerësimet tona janë se qeveria nuk ka rënë si pasojë e mospunës së saj dhe përgjegjësisë së kësaj qeverie. Qeveria nuk i ka zgjedhur deputetët e Kuvendit të Kosovës, asnjë deputet të cilit i është kontestuar vota nga Gjykata Kushtetuese. E gjjithë kjo ka ndodhur jashtë fajit dhe përgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës”.
“Ky është edhe një argument i joni se qeveria e ka bërë punën mirë dhe se Avdullah Hoti si kryeministër i kësaj qeverie e ka drejtuar në mënyrë të drejtë punën e qeverisë. [Avdullah] Hoti ka treguar se, edhe vetë, edhe qeveria zbaton ligjin dhe lufton krimin dhe korrupsionin. Është një qeveri që ka aftësi dhe mundësi që t’i bëjë mirë qeverisjes së këtij vendi. Kjo na ka shtyrë se edhe sot ta konsiderojmë se Avdullah Hoti është kryeministër i kësaj qeverie në vazhdim. Do të vazhdojë ta bëjë atë punë dhe do të vazhdoj të jetë kandidat i joni për kryeministër të vendit edhe në zgjedhjet e ardhshme”.
I pari i LDK-së ka thënë se në këtë mbledhje të strukturave udhëheqëse janë përcaktuar edhe kriteret për listën e atyre që do të kandidojnë për deputetë nga kjo parti.
“Kemi aprovuar kriteret udhëzuese për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë ku kemi paraparë që të gjithë kandidatët për deputetë duhet të jenë njerëz që besojnë në LDK, i qëndrojnë besnik programit të LDK-së dhe që kanë pastërti të figurës, por që edhe nuk kanë pasë asnjëherë problem me ligjin”.
Mustafa ka lavdëruar punën e Qeverisë Hoti duke e vlerësuar se ka bërë punë të mirë.
“Kemi vlerësuar se qeveria ka bërë punë të mirë. Kjo qeveri ka arritur në mënyrë të suksesshme ta kthejë Kosovën në arenën ndërkombëtare, të rivë marrëdhëniet që kemi pasë më herët me SHBA-në, BE-në dhe institucionet ndërkombëtare financiare”.
“Kemi vlerësuar po ashtu që qeveria ka punuar mjaft mirë dhe ka qenë shumë e zellshme në luftën kundër pandemisë COVID-19. Kemi vlerësuar se programi i rimëkëmbjes ekonomike është i mirë dhe ofron mundësi që pasojat që kanë bizneset, ekonomia dhe qytetarët të zvogëlohen në saje të zbatimit të këtij programi”.