Lajmet e fundit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur sot disa nga anëtarët e kryesisë në selinë qendrore në Prishtinë.
Duke hyrë në seli është parë edhe deputeti Anton Quni dhe Armend Zemaj, njofton Klan Kosova.
Kryesia është mbledhur sërish sot pas ditës së djeshme dhe dy ditë para mbajtjes së seancës për votimin e kabinetit qeveritar nga i mandatari për kryeministër, Albin Kurti.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, dje pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë ka thënë se të dyja partitë janë në përpjekje që gjatë kësaj kohe të mbetur t’i realizojnë angazhimet e tyre, por se janë kundër një qeverie të pakicës dhe këtë nuk do ta votojnë.
“Jemi në përpjekje që sonte, nesër dhe pasnesër t’i realizojmë angazhimet tona të përbashkëta në definimin e rolit dhe përgjegjësive tona kushtetuese duke u pajtuar që Qeverinë e udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në ardhje Albin Kurti”.