Lajmet e fundit

Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës përmes një letre të hapur e ka quajtur kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin një kryetar fals të kryeqytetit.
Lexoni më poshtë letrën:
Letër e hapur e grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës
Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës i drejtohet opinionit me këtë letër të hapur lidhur me sjelljet politike të kryetarit të Prishtinës z. Shpend Ahmeti. Arsyet konkrete janë: e para, kryetari i komunës nuk merr pjesë në mbledhjet e Kuvendit të Komunës tash e sa muaj me radhë, duke iu shmangur debatit parlamentar lidhur me politikat e tij të cilat duhet të votohen në Kuvend. Dhe e dyta, duke shfrytëzuar hapësirën mediale të ofruar, kryetari i kryeqytetit, me monologun e tij politik në studio televizive, nuk kursen me sharje e së shpifuri, denoncuari, me përpjekje linçimi ndaj grupeve politike, në këtë rast të LDK-së, dhe individëve, duke mos e treguar dështimin e tij të paraqitur raport pas raporti, lidhur me mosrealizimin e projekteve buxhetore për zhvillimin e kryeqytetit.
Duke u ballafaquar me këtë sjellje politike të papranueshme kundër parimeve të demokracisë, grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se Shpend Ahmeti është kryetar fals i kryeqytetit!
Hapësira mediale e dhënë për eksponentë të tillë, nuk na jep krejt të drejtën për reagim ndaj medieve, por të shtyn të shfaqësh qëndrimin që përfaqësimi politik në studio i një kryetari që i shmanget debatit nga vendi ku duhet të zhvillohet ai, pra në Kuvendin e Prishtinës, të bartet në principin: një eksponent përballë një gazetari, konsiderohet të jetë keqpërdorim medial i Shpend Ahmetit. Të tillat paraqitje, përkundër mundësive, tash e gati dy vjet, asnjëherë nuk duket se i kanë dhënë motiv avancimi punës së tij për zhvillimin e demokracisë dhe për administrimin me sukses të Komunës së Prishtinës.
Po, për grupin është e qartë se mediet duhet dhënë hapësirë një kryetari komune. Në anën tjetër, i njëjti, që fiton hapësirë mediale, kryetari i Prishtinës, ka muaj të tërë që nuk prezenton në mledhjet e Kuvendit të kryeqytetit, edhe atëherë kur ka për të raportuar mbi situatën ekonomike dhe finaciare të Komunës, sipas kërkesave ligjore. Në këto raste e ka shkelur ligjin.
Shmangia nga debati është shmangie nga përgjegjësia dhe nënçmim ndaj Kuvendit, pra mospërfillje e vullnetit politik të qytetarëve të përfaqësuar nga secili anëtar i Kuvendit të kryeqytetit. Kjo nuk është e tëra!
Duke u shmangur nga debati në Kuvend dhe duke u bërë aktor i monologut politik në studio televizive, duke keqpërdorur maksimalisht, duke personalizuar çështje të caktuara, duke akuzuar pa pasur kush t’i thotë asnjë kundërargument opozitar atypëraty, sikur inkurajohet të shkojë aq larg me fyerje, linçime ndaj grupeve politike e individëve! Dhe, nuk besojmë të hezitohet që të ftohen përfaqësues të opozitës, për të paraqitur argumentet e tyre dhe të shumicës parlamentare, por edhe ata për të cilët kryetari i komunës flet me emër dhe mbiemër, kushdo qofshin.
Tani e gati dy vjet, Shpend Ahmeti i shmanget debatit medial televiziv me opozitën, përjashto debatin e mbajtur në RUBIKON në fund të vitit 2014 lidhur me qeverisjen njëvjeçare të VV në Prishtinë. Tani e një vit më parë kryetari i shmanget debatit në Kuvend e sidomos, që nga fillimi i vitit 2015. Kjo është një anë e medales së veprimit politik dhe e metodave që përdor kryetari komunës për “reflektime” politike. Është edhe ana tjetër e medales së tij, që e fsheh nga oponioni!
Kryetari Ahmeti flet për njerëzit me emër dhe mbiemër, për grupet politike me emër dhe mbiemër, për të këqijat e “borës së parvjeme” me emër dhe mbiemër; ai po i përdor dy fytyra në raport me të gjitha paraqitjet dhe veprimet e mundshme politike.
Me ftesë të kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, pra gjithnjë me ftesë të tij, përmes kontaktimit të drejtpërdrejtë, që nga koha e dhënies së betimit në fillim të vitit e deri kah fundi i vitit 2014, deri atëherë kur filluan problemet e para ligjore me Ndërmarrjet Publike, përveç takimeve të rregullta në kuadër të mbledhjeve të Komitetit për Politikë e Financa, nuk ka pasur parambledhje të Kuvendit që nuk janë takuar me shefin e grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, z. Sami Hamiti. Shkaku i takimeve të shpeshta gati njëvjeçare ishte mosdija, paaftësia menaxheriale e Shpendit dhe rrjedhimisht kërkesa për ndihmë nga njeriu me përvojë dhe njohës i mirë i Komunës, tani anëtar i asamblesë së Prishtinës. Pra, janë takuar sa herë që ka kërkuar kryetari i komunës dhe janë dakortuar për takim mes tyre. Grupi i LDK-së nuk e ka shtruar asnjëherë çështjen e këtyre takimeve, duke i konsideruar gjithnjë si takime në funksion të qeverisjes dhe me kërkesë të të parit të Komunës. Nëse kryetari ka përdorur taktikën dhe e ka shfrytëzuar rastin deri në atë masë, që deri sa t’i duhet ta mbajë afër Samiun dhe në momentet e caktuara të tërhiqet nga ai, jemi të bindur se është e pandershme dhe e ulët që sot një kryetar komune të luajë lojën e tij mashtruese që tani ta identifikojë një periudhë të qeverisjes në Prishtinë me një emër, me të cilin ka kaluar shumë kohë me të, gati një vit, qoftë jashtë, qoftë në zyren e tij, për asgjë tjetër, përveçse për të mësuar diçka në vitin e parë të qeverisjes së tij. Po, kujtojmë se për këto takime ka ditur edhe partia e të parit të Komunës, VV-ja, madje do t’i ketë sugjeruar që të bashkëpunojë ngusht me z. Sami Hamiti.
Thellimi i një beteje politike dhe administrative mbi ndërmarrjet, atëherë kur u shpërfaqën parregullsitë dhe shkelja e Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike Komunale nga ana e aksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar nga Kuvendi dhe kryetari i komunës, atëherë kur Kuvendi i Komunës kërkoi raport mbi veprimet e Komisionit të Aksionarëve, Kuvendi mblodhi përfaqësimin e tij politik dhe, për shkak të shkeljeve ligjore, arriti t’i shkarkojë të vjetrit dhe t’i emërojë aksionarët e rinj. Gjatë kësaj kohe filloi ndryshimi i të gjitha realcioneve në mes të Kuvendit dhe Ekzekutivit lidhur me politikat dhe vendimmarrjen ndaj atyre pikave, por edhe filloi shpërfaqja e tendencave për denigrim, për linçim dhe shpifje të Shpend Ahmetit ndaj individëve dhe grupeve politike, pra edhe ndaj individëve, që kishte kaluar kohë të tëra me ta në takime në zyren e tij për ndihmesë dhe qeverisje më të mirë në Prishtinë.
Kjo shpërfaqje, tendenca për linçim, shpifjet, dolën të jenë arma e fundit e Shpend Ahmetit dhe përpjekja për justifikimin e dështimeve të tij në realizimin e projekteve dhe premtimeve të tij, tani më të parealizuara, as për sëafërmi.
Pra, qeverisja e kryetarit Ahmeti, mund të themi, i ka deri tani dy anë të zhvillimit, të qasjes qeverisëse, të paraqitjeve politike dhe publike.
E para, duke u përpjekur të shfrytëzojë njerëzit me përvojë administrative dhe politikbërëse, grupet politike, përfshirë edhe PDK-në, e cila i ndihmoi dhe ishte vendimtare që Shpendi të bëhet kryetar komune, që përmes kësaj qasjeje t’i realizojë qëllimet politike, qoftë edhe të përkohshme; ky ishte një mashtrim i vetvetes, i Shpendit, sepse në këtë tentim shfrytëzimi, nuk kishte asnjë bazë demokratike, rrjedhimisht po provohej edhe një qeverisje false e kryetarit të Komunës. Kështu, pra, i erdhi fundi asaj që kishte të bënte me përpjekjen për mashtrim nga kryetari Ahmeti dhe qeverisjes së tij përjashtuese, kur po afroheshin me pikëpamje kundër qeverisjes së tij të dështuar, LDK dhe PDK, duke bërë shumicën parlamentare në Kuvendin e Prishtinës.
E dyta, pasi i erdhi fundi kësaj përpjekjeje për mashtrim dhe vazhdimit të qeversjes përjashtuese, Kuvendi i Komunës arriti që me shumicë demokratike të marrë vendime edhe kundër politikës antidemoktratike dhe politikave populiste të kryetarit të Prishtinës si reakcion ndaj qeverisjes së tij, po e përsërisim, përjashtuese dhe të dështuar. Kështu, po fillonte një fazë e dytë e qeverisjes Ahmeti, duke u përpjekur që përmes bojkotimit të mbledhjeve të Kuvendit të përpiqet të krijojë një atmosferë zhgënjyese dhe të mbjellë një frymë se vetëm zgjedhjet për Kuvend do të mund ta nxjerrin nga kjo gjendje Komunën e Prishtinës.
Edhe në fazën e parë edhe në të dytën gjejmë një emërues të përbashkët; ajo është qasja tepër kalkulative dhe negative ndaj procesit të zhvillimit të Komunës që del të jetë kundër parimeve të demokracisë.
Shembulli tipik i bojkotit është rasti i fundit i lëshimit të mbledhjes së Kuvendit me 15 pika të rendit të ditës, kur 5 nga to u hoqën nga rendi me shumicë votash të anëtarëve prezentë. Vetë kryetari, me veprimin e tij politik, nga 11 drejtorë, tërhoqi ata tre sa i kishte në sallë dhe bashkë me ta dolën 10 anëtarët e Kuvendit nga VV-ja. Ky veprim i tij, pas disa muajsh mosprezence në Kuvend, pas pesë minutash qëndrimi në sallë, tregoi edhe një herë se ai po vazhdonte të përpiqej ta bllokojë punën e Kuvendit dhe tërë përgjegjësinë për dështimet e veta t’ia hedhë Kuvendit të Prishtinës, përkatësisht, herë disa individëve, si përpjekje për justifikimin e dështimeve të tij.
Sot, në këtë vorbull të qeverisjes së tij të dështuar në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, brenda një monologu të tij politik në studio televizive, Shpend Ahmeti merret me Republikën që u përpoq ta rrënojë sipas skemës së VV, në janar të 2015, merret me pavarësinë e plotë të kësaj Republike që deshi ta rrëzojë me dhunë në po të njëjtën ditë, merret me kryeqytetin, Kuvendin e të cilit e bojkoton, merret me Ndërmarrjet Publike Komunale, promotorët e shërbimit për kryeqytetin, të cilat i la pa aksionarët e tyre, me qëllim të bllokimit të këtyre shërbimeve, merret me shumicën parlamentare të Kuvendit, duke nënçmuar votën demokratike dhe qytetare të përfaqësuar nga kjo shumicë e zgjedhur, merret me shpifje dhe insinuata.
Monologjet e tij politike në studio televizive tregojnë dhe e bëjnë atë të dalë bllokuesi më tipik e politik i kryeqytetit. Në situata të tilla bllokuese, një kryetar i vetëdijshëm dhe me ndërgjegje politike do t’u kërkonte falje qytetarëve të kryeqytetit dhe do të jepte dorëheqje, transmeton Klan Kosova.