Lajmet e fundit

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri nuk ka dashur të thotë nëse kjo Qeveri e udhëhequr nga partia ku ai bën pjesë dhe PDK po i afrohet fundit.
“Nuk mund të paragjykojë dhe të them se po afrohet po jo fundi i këtij koalicioni. Ne jemi një parti serioze, me traditë të gjatë – jemi të gatshëm çdo kohë të ballafaqohemi më sfidat që mund të dalin”.
Beqiri që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se LDK do të donte ta përfundonte mandatin qeverisës me PDK-në, dhe se mocionin e Nisma për Kosovën e sheh si të drejtë kushtetuese.
“Mocioni i cili është dorëzuar në Kuvend, ne i kuptojmë të drejtën kushtetuese për mocion, por siç e thashë, ne jemi të gatshëm për të gjitha. Por ne kemi një koalicion dhe do të donim ta përfundonim atë marrëveshje deri në fund”.
“Nuk dua t’i komentojë deklarimet e Veselit, por ajo që LDK dëshiron është që të vazhdojë deri në fund mandatin siç edhe është marrëveshja”.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së ka thënë se pavarësisht të drejtës për mocion, ato që thuhen në këtë mocion nuk qëndrojnë.
“Ato që thuhen në mocion janë të paqëndrueshme për Qeverinë Mustafa. Asnjë Qeveri e deritanishme nuk ka punuar në kushte më të rënda dhe që ka pasur suksese kaq të mëdha”.