Lajmet e fundit

Lëvizja për Bashkim iu ka bërë thirrje të gjitha forcave politike të lënë anash betejën për interesa partiake dhe të punojnë së bashku për të mirën e vendit, në kohën kur Kosova po hyn në fazën, finale të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
"Kosova po hyn në fazën, e ashtuquajtur, finale të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kështu, përkundër kohës së mjaftueshme për të bërë përgatitjet e domosdoshme për këto bisedime, përfaqësuesit e Kosovës do të shkojnë atje si çdo herë tjetër deri më tash, të papërgatitur. Përgjegjës për këtë situatë janë të gjitha subjektet politike që i kanë kontribuuar krijimit të dy blloqeve ekstreme, sa i përket qëndrimeve rreth bisedimeve. Njëri bllok ka qenë kategorik kundër zhvillimit të këtyre bisedimeve, ndërsa tjetri ka qenë i vendosur në favor të tyre me çdo kusht. Kjo e ka shkaktuar një betejë të panevojshme në mes vete, në vend se të përgatiteshim së bashku për betejën kundër Serbinë. Kjo ka ndodhur në fazën e mëhershme të bisedimeve, kjo po ndodhë edhe sot. Ndryshon vetëm arsyetimi".
"Bisedimet e mëhershme janë përcjellë me një refuzim kategorik të bisedimeve nga një pjesë e opozitës, në njërën anë, dhe me insistimin e palëkundur për bisedime pa konsensus e pa platformë, në anën tjetër. Rezultatet dihen. Bisedimet e tanishme po përcillen me refuzim kategorik të presidentit si udhëheqës të bisedimeve, në njërën anë, dhe insistimit të palëkundur të tij për t’i vazhduar ato. Pra, në të dy fazat e bisedimeve, si pozitë ashtu edhe opozitë, nuk kanë pasur asnjëherë qëllim arritjen e konsensusit dhe nxjerrjen e platformës për bisedime. Të dy palët, çështjen e bisedimeve e kanë konsideruar si një aset për të bërë luftë politike partiake".
Lëvizja për Bashkim thekson në njoftim se e ka ofruar propozimin e saj për platformë dhe pret një përgjegjshmëri të tillë edhe nga subjektet tjera politike, transmeton Klan Kosova.