Lajmet e fundit

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bere përmbylljen e projektit për mbështetjen institucioneve të Kosovës për 3 vite, kryesisht policinë dhe prokurorët, në përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar në Kosovë.
Me rastin e përmbylljes është bërë prezantimi i arritjeve si dhe një konferencë me pjesëmarrës Libor Chlad nga zyra e BE-së, Christina Gehlsen nga ambasada e Gjermanisë, si dhe zëvendës ministri i MPB-së Valdet Hoxha.
Hoxha ka theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit njëkohësisht ka kërkuar nga BE-ja mbështetje në realizimin e projekteve në të ardhmen.
“Duke njohur natyrën e projekteve të tilla, policia dhe prokuroria do të ketë kapacitete të shtuara për të kryer punën siç duhet. Zbatimi i ligjit dhe sundimi i ligjit në tërë territorin e Kosovës, është qëllimi ynë” ka thënë Hoxha.
Ndërsa, Chlad nga zyra e BE-së, ka vlerësuar lartë projektin duke thënë që ka sjellë gjëra të mira për Kosovën.
Folësja e fundit ishte Christina Ghelsen, e cila tha që niveli i korrupsionit në vend është i lartë, megjithatë me mbështetjen e Gjermanisë dhe përkushtimin ndaj luftimit të tij beson që do të ketë sukses.
“Qëllimi i këtij projekti është forcimi i policisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Korrupsioni këtu është helm. Shpesh dëgjoj që krimet këtu kalojnë pa u gjykuar. Por, jam shumë e lumtur që ky projekt ka forcuar kuadrot e policisë dhe prokurorisë në zbatimin e ligjit. Kosova është përkushtuar në luftën e krimit të nivelit të lartë dhe e ka mbështetjen tonë” deklaroi Gehlsen.