Lajmet e fundit

Avdullah Hoti e ka pranuar zyrtarisht detyrën e kryeministrit.
Hoti ka parakaluar para Gardës Ceremoniale krejt i vetëm, pasi në ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës ashtu siç nuk ka ndodhur kurrë në Kosovë nuk ishte i pranishëm paraardhësi i tij Albin Kurti.
Ky i fundit, përmes një videomesazhi në Facebook, njoftoi se nuk do ta bëjë pranim-dorëzimin, sepse “nuk mund ta pranoj atë që e ka shkarkuar”.
Kryeministrit të ri detyra iu dorëzua nga Sekretari i Qeverisë Fitim Krasniqi, edhe pse sipas protokollit e njëjta duhej t'i dorëzohej nga parardhësi i tij.
Pas pak pritet të mbahet edhe mbledhja ceremoniale e Qeverisë së re të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Avdullah Hoti u zgjodh dje kryeministër me minimumin e votave, derisa në qeverinë paraprake VV-LDK ishte zëvendëskryeministër i parë, por u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti ditën që u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së tij.