Lajmet e fundit

Lajmet e rreme, ose së paku diskutimi global për fenomenin ka vazhduar hovin në vitin 2017, duke bërë që Fjalori Collins ta shpallë termin “fjalë të vitit”.
Të përshkruara nga Collins si “informacione false dhe shpesh të bujshme”, lajmet e rreme kanë kumbuar edhe në mediat ruse dhe në peizazhin politik atje.
Ato janë trajtuar me besim nga mediat e shquara në Rusi, figurat publike dhe audienca. Disa prej tyre e kanë pasur origjinën në Rusi - vendin që qeveritë perëndimore e kanë akuzuar për bërjen e lajmeve të rreme pjesë të politikës së jashtme - disa të tjera kanë nisur në vende të tjera.
Moska i ka hedhur poshtë kritikat ndaj saj, përfshirë edhe akuzat se ka krijuar lajme të rreme me qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2016.
"Kolapsimi i Rusisë"
Një nga lajmet e rreme që ka bërë bujë në Rusi në vitin 2017, ka qenë ai për “kolapsimin e Rusisë”.
Në muajin gusht, një faqe konfuze e internetit, e ngjashme me atë të gazetës britanike The Guardian, ka publikuar një raport të rremë për një komplot të Perëndimit për shkatërrimin e Rusisë.
Raporti ka cituar ish-shefin e inteligjencës britanike, John Scarlett, duke thënë se Britania dhe SHBA-ja planifikojnë të shfrytëzojnë ish-presidentin pro-perëndimor të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, dhe një “grindje fiktive midis Ukrainës dhe Rusisë” për të shpërbërë shtetin rus.
“Më duhet të pranoj se luftërat në Gjeorgji dhe Krime - planet më strategjike të SHBA-së dhe Britanisë për rrëzimin e Rusisë - kanë përfunduar me dështim”, ka thënë Scarlett në raportin e fabrikuar.
Lajmi është demaskuar shpejt dhe gazeta britanike The Guardian ka thënë se ai është i rremë dhe “është publikuar në një faqe të rreme që pretendonte të ishte The Guardian”.
Megjithatë, disa media ruse e kanë transmetuar atë, përfshirë edhe rrjetin televiziv kombëtar REN-TV.