Lajmet e fundit

Driton Lajçi nga Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të domosdoshme prezencën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në proceset politike të vendit, njofton Klan Kosova.
“Prezenca e Lidhjes Demokratike të Kosovës në procese është e rëndësishme. E domosdoshme – për shkak të seriozitetit, për kah prezencës, numrave, historisë që ka, e të tjera”, ka thënë Lajçi në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Nëse dakordohen liderët partiakë, dhe nëse parashihen ligjet, Kushtetuta e Kosovës ka ndodhur me pasë ma herët edhe zgjedhje të parakohshme edhe zgjedhje të jashtëzakonshme”.
Përkundër që ka deklaruar se PDK është e gatshme për gjithçka nga e cila përfiton Kosova, Lajçi nuk e konsideron se vendi duhet të shkojë në zgjedhje në këto dy vjet të cilët ai i quajti si “vite të dialogut”.
“Tryeza nuk e ka përjashtuar asnjë opsion. Prandaj është me rëndësi edhe kësaj radhe meqenëse është vit i rëndësishëm ky edhe viti tjetër – unë besoj që edhe Bashkësia Ndërkombëtare në Kosovë e ka një pjesë të rëndësishme. Viti 2018-2019 është vit i dialogut. Nuk besoj se ata do të lejojnë, dhe nuk besoj se ne kemi luks ta shpërndajmë energjinë për zgjedhje përderisa e kemi përfundimin e dialogut me Serbinë”.
“Ne jemi të gatshëm për gjithçka që është në interes të vendit”, ka përfunduar Lajçi, duke iu referuar edhe mbajtjes potenciale të zgjedhjeve.