Lajmet e fundit

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të martën vizitoi Beogradin.
Emisari aty bisedoi me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e të ashtuaquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Në vazhdim të diskutimeve të mia për rrugën përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja pata një bisedë të gjatë dhe të detajuar me presidentin e Serbisë”, shkruajti Lajçak.
Pos kësaj, emisari evropian shtoi se “shumëçka do të pasojë pas takimeve të mia këtë javë”.
Paraprakisht Lajçak të hënën takoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Takimi i tyre ishte planifikuar të ndodhte në Prishtinë më 22 tetor, por i njëjti ngjau në Vjenë.
Kurti ndodhet në Austri për vizitë zyrtare.
Derisa po paralajmërohen zhvillime të reja në dialog, Klan Kosova merr vesh se temë e muhabeteve të Lajçak me shefat politikë të Kosovës dhe Serbisë ishte plani që deri në fund të vitit të organizohet një rreth bisedimesh në nivel liderësh.
Në bisedën e Beogradit është diskutuar edhe çështja e energjetikës në veri të Kosovës, në të cilën pjesë serbët nuk paguajnë rrymën e harxhuar tash e 21 vjet.
Pala kosovare I ka bërë tashmë të qarta qëndrimet e saj rreth kësaj problematike. Ato i ka shprehur emisarit javën e kaluar në Bruksel, zëvendës kryeministri, Besnik Bislimi.