Lajmet e fundit

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, është shprehur i befasuar pse në Kosovë ka bërë bujë deklarimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se Kosova e Serbia janë dakorduar për hapjen e arkivave shtetërore edhe për ato që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Pas takimit të dytë me kryeministrin Kurti, Lajçaku ka thënë se për këtë çështje s’ka pasë asnjëherë pengesa nga “asnjëra palë”.
Sipas tij, Kosova ka bërë të ditur se s’ka arkiva të UÇK-së, por ka vetëm arkiva shtetërore.
“S’ka pasë diskutim të caktuar për arkivat. Jam i befasuar se sa e nxehtë si temë është bërë kjo në shoqërinë dhe mediat tuaja. Ajo që është thënë ka qenë vetëm rikonfirmim i asaj që është thënë disa herë në të kaluarën se s’ka pengesa nga asnjëra palë që t’u qasemi arkivave. Kjo është thënë edhe vitin e kaluar dhe është ricekur disa herë. Zoti Bislimi ka thënë se s’ka arkiva të UÇK-së, por vetëm shtetërore. S’ka pasë befasi, as marrëveshje të caktuar, por disi u keqinterpretua në shoqërinë tuaj”, ka thënë ai.
Lajçak ka refuzuar të komentojë edhe deklarimet e Kurtit për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, ndërsa ka thënë se “e rëndësishme është që procesi i dialogut po vazhdon”.
Paradite emisari europian takoi edhe presidenten Vjosa Osmani nga zyra e të cilës thanë se ajo deklaroi se Kosova është për dialog që përfundon me njohje, por pa cenuar shtetësinë e saj.