Lajmet e fundit

Tenori me famë botërore Ramë Lahaj ishte i ftuar i Baton Haxhiut në “Zona B” të Klan Kosovës.
Lahaj ka folur për periudhën e studimeve duke u shprehur se nuk e ka pasur fatin dhe luksin të studiojë ashtu siç duhet për muzikën.
“Kemi studiuar në kohën jo bash të përshtatshme ku orët e muzikës janë modifikuar në njëfarë forme”.
“Ora e muzikës ka qenë një relaksim për nxënësit, por për fatin tim të mirë e të keq unë kam qenë ai që kam kënduar gjatë gjithë kohës”.
“Mund të them që kanë qenë periudha të vështira sepse jam rritur në kushte jo shumë të mira”.
“Unë nuk kam pasur shumë luks për të thënë që dua të studiojë në shkollë të muzikës”.
Lahaj ka folur për arritjet e tij në sferën e muzikës klasike duke treguar edhe për interpretimin e tij në Sidney.
“Opera e Sidneyt e ka parë të arsyeshme të më ftojë”.
“Ftesën e kam marrë prej operasë së Sidney, unë kam qenë pak në stres sepse është një prej kokave të operave”.
“Është gjithmonë e vështirë ta sjellësh një djalë shumë të ri që ka pasur sukses në Evropë në opera dhe ta bindësh publikun që ky djalë këndon mirë”.
Ai gjithashtu ka treguar se ka qenë pjesë e mediave në Australi.
“Mund të them se nuk ka pasur media në Australi që nuk ka folur për shfaqjet e mia”.
“Për mua ishte e rëndësishme që mediat kanë potencuar se dekadën e fundit nuk ka pasur alfredo më të mirë në operën e Sidney”.
Tenori shqiptar që ka shkelur skenat më të mëdha botërore të muzikës klasike ka thënë se është privilegj të këndosh në skena të mëdha.
“Privilegji i të qenit në një opera të madhe ose më të vogël, është diçka që i përket historikut tënd si këngëtar”.
“Nëse ti këndon në një teatër e luan në teatër dhe të bëjnë ofertë prapë në sezonin tjetër, atëherë është një sinjal i mirë”.
“Por ajo se çfarë ka më shumë rëndësi është kur audienca është e kënaqur”.
Lahaj ka folur rreth kthimit të tij në Kosovë e në Shqipëri dhe emocionet që përjeton çdo herë kur është në vendlindje.
“Më me qejf shkojë të këndojë në një prej teatrove që është rrezik në kuptimin që nëse nuk këndon si duhet rrëzohesh nga ranglista, se sa të këndojë në Tiranë dhe Prishtinë për shkak se në vendin tim përjetojë emocion të veçantë”.
Tenori ka treguar se nëna e tij nuk di asgjë rreth artit të tij, por gjithë çfarë i intereson është që ta ketë atë pranë vetes.
“Nënës time nuk i intereson absolutisht për artin për të ka rëndësi që të shkojë në shtëpi e më pas e gjithë bota është e saj”.
“Kemi një lidhje koxha të veçantë sikur çdo fëmijë me nënën, e në këtë rast mund të them lirisht se nëna është një prej pikave më të dobëta të mijat”.