Lajmet e fundit

I ka mbetur edhe konfirmimi në Senat dhe zyrtarisht Christopher Hill do të kthehet me angazhim në Ballkan.
Diplomati me nam, të cilin presidenti Joe Biden e ktheu nga pensioni në mision diplomatik, do të jetë ambasador amerikan në Beograd.
Në Serbi ai kthehet me agjendë trepikëshe për t’u realizuar në mandatin e tij trevjeçar prej ambasadori, i cili numërohet nga dita e nisjes së punës.
Në pikën e parë është njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Në pikën e dytë përfshihet ruajtja e integritetit territorial të Bosnjës.
Kurse tre është mundësia që amerikanët të kenë një lloj mbikëqyrjeje të zgjedhjeve të 3 prillit, që shteti serb i mban për presidentin dhe qeverinë e re.
Një zyrtar amerikan, që nuk deshi t’i përmendej emri, i tha Klanit se kjo lloj agjende është natyrale për ambasadorin Hill, që ai e quan mjeshtër amerikan për raportet Kosovë-Serbi.
Por, sipas burimit, nëse plani nuk realizohet gjatë mandatit të presidentit Biden deri më 2024, sidomos në pikën e njohjes, humb momentumi i krijuar.
Duke nisur nga presidenti në Serbi, trepikëshin e Hillit e kanë komentuar me kujdes, duke thënë se nuk është diçka që po i befason.
Ndërkohë, ambasadori serb në Uashington thotë se në këto kohë, që ai i quan sfiduese, po mundohen të zbusin qasjen amerikane.
Pos Hillit në Beograd, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ambasador në Kosovë e Bosnjë, kanë zgjedhur dy specialë tjerë politikë e diplomatikë.
Në Prishtinë, brenda javëve, nis punën ambasadori, Jeffrey Hovenier, e në Sarajevë, Michael Murphy.