Lajmet e fundit

Pesë gurthyesit në Studenqan të Suharekës do të vazhdojnë të operojnë, së paku edhe 10 vjet.
Këtyre, të premten, asambleja e kësaj komune vendosi t'ua japë pëlqimin për të ushtruar veprimtarinë e tyre.
Për këtë çështje, në muajin shtator, kryesia e këtij fshati në një takim me përfaqësues të partive kishte dhënë dritën e gjelbër.
Por, tash shefi i asamblistëve të PDK-së në Suharekë, Jeton Rrakaqi, po ankohet se u anashkaluan procedurat.
“Nuk ka pasë debat publik dhe nuk iu ka komunikuar anëtarëve të partive politike që nuk ka pasë debat publik. Ato ekzistojnë edhe pa qenë PDK-ja në qeveri, sepse nëse nuk e dini PDK-ja në pushtet ka ardhur në 2008-ën”.
Ankesa ka edhe shefi i asamblistëve të LDK-së Nexhat Ramadani, ndërsa këshilltarët ngritën shqetësimin e tyre edhe për shpyllëzimin e zonës që do të bëhet nga operimi i gurthyesve.
“Duhet bërë përpjekje maksimale që të merren parasysh të gjitha kërkesat e kryesisë së fshatit aq sa ka mundësi, sepse e di që kërkund në Kosovë nuk plotësohen këto kërkesa, por mundësisht të bëhet më shumë”.
Kryetari i Studenqanit, Xhevxhet Gashi, shprehet se shkaku i pandemisë nuk u realizua takimi me qytetarë, por shtoi se të deleguarit e partive nuk e kundërshtuan këtë gjë.
“Nuk kanë pranuar asnjëri që të mbajmë debat më të madh. Debati ka zgjatur diku rreth dy orë ku janë pajtuar të gjithë që t’iu jepet pëlqimi për punë, derisa të bëhet një zgjidhje më afatgjate për gurthyes”.
Megjithatë, Leonard Shala i PSD-së po kërkon që të merret parasysh një gjë.
“Atje operojnë kompani që i kanë më shumë se 100 të punësuar”, ka thënë ai.
Në fund, Kuvendi Komunal miratoi këtë pikë të rendit të ditës me 17 vota për, asnjë kundër dhe 8 abstenime.