Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës të premten i miratoi dy marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me menaxhimin e pandemisë. Në këtë frymë u vendosën edhe parulla për t'i bërë thirrje qytetarëve që ta marrin vaksinën anti-COVID.
Megjithatë, dy marrëveshje tjera ndërkombëtare mbetën për votim herave tjera. Ndryshe nga to, fati i një rezolute u vendos në këtë seancë. Nisma e Lidhjes Demokratike për ta detyruar qeverinë ta respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit dështoi pas abstenimit të deputetëve të shumicës.
Në seancën e dytë, deputetët hapin temat e veta. Opozita kërkoi përmirësim të kushteve të zjarrfikësve që po përballen me zjarre të shumta. Këtë situatë, pozita e lidhi me të kaluarën.
Ganimete Musliu ka pyetje për ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për një bandë kriminale në veri të vendit, teksa i kërkon kryeministrit Albin Kurti ta vizitojë atë pjesë.
Kurti nuk flet për këtë temë e asnjë tjetër derisa t'i vijë koha për ta arsyetuar propozimin e emrave për bordin e ri të Agjencisë Kosovare të Privatizimit që pritet të shuhet. Shefi qeveritar hodhi akuza për keqpërdorime të shumta në këtë institucion. Me gjithë kritikat e partive tjera, me 60 vota për u mor vendim për emërimin e bordit të ri të drejtorëve.
Në këtë seancë u miratuan në lexim të parë edhe projektligjet për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe për mbeturinat industriale.