Lajmet e fundit

13 mijë të vrarë, shumica nga ta civilë, përfshirë më shumë se 1.300 fëmijë.
Kjo krahas 20 mijë të dhunuarve, e 1 milion të dëbuarve me qëllim të spastrimit etnik, njofton Klan Kosova.
Këto, e zjarr vënie gjithandej, janë gjurmët e gjenocidit që la Serbia në luftën kundër popullit të Kosovës.
Por, varra që u hap dy dekada më parë, në kuadër të ditës ndërkombëtare të viktimave të gjenocidit, po thuhet se do mbyllet kur Serbia të kërkojë falje, ta pranoj gjenocidin, e të tregojë se ku janë edhe 1600 të pagjetur.
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani tha se ''dhuna mbi viktimat e gjenocidit serb është sistematike nga vrasja e viktimave deri në fshehjen e tyre, deri në thirrjen e regjimit serb për mos dhënie të informatave për ta''.
Deputetët këtu heshtën, derisa të zëshëm e mjaftë kritikues për 20 vjetët pushtet ishin familjarët e viktimave dhe të të pagjeturve.
Luljeta Sharani nga familjarët e të pagjeturve, Bajram Qerkini nga Shoqata ''Thirrjet e Baballarëve'', Nesrete Kumnova nga Shoqata ''Thirrjet e Nënave'' dhe Lush Krasniqi nga Shoqata ''27 Prilli'', kritikuan pushtetet kosovare të deritashme, për moskryerje të punës si duhet, mbi viktimat dhe të pagjeturit.
Vetë kryeministri Avdullah Hoti nuk foli, për zëvendësja e tij, Albulena Balaj-Halimi tha se Kosova nuk do të arrijë asnjë marrëveshje me Serbinë, pa u gjetur zgjidhje për të pagjeturit, njofton Klan Kosova.