Lajmet e fundit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me gjasë do të jetë subjekti më unik i zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen pas disa javësh.
Prirës i listës zgjedhore të AAK-së do të jetë kryetari Ramush Haradinaj, por jo edhe kandidat për kryeministër.
Haradinaj i mbetet besnik qëllimit të tij që të bëhet president i Kosovës, andaj kjo është dhe pjesë e planit të Aleancës pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Deputeti Rasim Selmanaj ka treguar se AAK-ja synon të arrijë një marrëveshje pas mbajtjes së zgjedhjeve me fituesin e tyre, me anë të të cilës ata i japin përkrahje për koalicionin e ri, derisa ky i fundit do ta përkrahë Haradinajn për president.
Që nga 5 nëntori, kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, Kosova ka mbetur me ushtruese detyre në këtë post që është Vjosa Osmani.
Në këtë pozitë ajo mund të qëndrojë më së largu deri më 5 maj. E nëse maji e gjen vendin pa president të zgjedhur, atëherë rrezikojnë prapë zgjedhje parlamentare.