Lajmet e fundit

Krimi i dyfishtë në fshatin Shtëpëzë të Gjirokastrës, vritet Dorian Lluka dhe plagoset rëndë vëllai i tij, Birbili. I dyshuari Enerik Lluka, djali i një polici. Arrestohet bashkëpunëtori
Konflikti për një borxh ka shkaktuar vrasjen e një të riu në Gjirokastër dhe plagosjen e vëllait të tij, të cilët dyshohet se janë qëlluar nga kushëriri i tyre, i shpallur në kërkim nga policia lokale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesditës së djeshme në aksin rrugor nacional Gjirokastër-Kakavijë, pranë fshatit Shtëpëzë, nga ku mendohet se autori është larguar bashkë me një person tjetër, i cili është arrestuar nga policia.
Sipas informacioneve nga policia lokale mësohet se dy vëllezërit Dorian dhe Birbil Lluka, 29 dhe 31 vjeç, banues në Gjirokastër, i kishin dhënë borxh kushëririt të tyre, Enerik Lluka, 28 vjeç, për të cilin thuhet se është djali i një punonjësi policie, ndërkohë që të tre janë nipa të bashkëshortes së ish-kreut të Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko.
Dje, autori dhe dy vëllezërit udhëtonin në dy automjete. Enerik Lluka udhëtonte për në Gjirokastër me mjetin e tij, në momentin kur u ndalua nga vëllezërit Birbil dhe Dorian Lluka, të cilët udhëtonin me një mjet “Mercedes Benz”. Lidhur me këtë përplasje, policia ka nisur rindërtimin e skenës së krimit, duke u bazuar nga pak prova në vendin e ngjarjes, ku të pranishëm si dëshmitarë mendohet se kanë qenë dy vëllezërit, autori dhe një shok i këtij të fundit. Pikërisht në afërsi të fshatit Shtëpëzë, Eneriku mendohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj dy vëllezërve, duke lënë të vdekur në vend Dorianin dhe duke plagosur rëndë Birbilin. Pas krimit të kryer, ai mendohet se është larguar nga vendngjarja me një mjet, ndërkohë që shoku i tij mendohet se ka lëvizur mjetin “Mercedes Benz”, me targa AA 006 IY, i cili i përkiste dy vëllezërve Lluka. Makina mësohet se është gjetur e braktisur rrugës për në Kakavijë, në vendin e quajtur Kthesa e Andon Poçit.
Policia ka nisur hetimet për krimin e dyfishtë dhe vëllai i plagosur rëndë është transportuar me helikopter drejt Tiranës. Mjekët e spitalit thanë se gjendja e tij shëndetësore është kritike. Policia ka siguruar banesën e autorit të dyshuar në fshatin Shtëpëzë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të ngjarjes si dhe ka bërë shoqërimin e disa personave për t’u pyetur në lidhje me rrethanat e krimit.
Në orët e mbrëmjes, policia e Gjirokastrës ka identifikuar dhe arrestuar 23-vjeçarin, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor i Enerik Llukës. Në pranga është vënë Emiljano Vocka, banues në Humelicë. Ai mendohet se ka qenë në vendngjarje dhe i ka dhënë pistoletën autorit të krimit. Po vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorit kryesor të kësaj ngjarje./ Shqiptarja.