Lajmet e fundit

Në Info Magazine në Klan Kosova, Lirak Qelaj asamblist në Komunën e Prishtinës nga radhët e PDK-së dhe Qendron Kastrati, asambleist i Lëvizjes Vetëvendsoje, kanë diskutuar për problemet me të cilat po përballet asambleja komunale.
Qelaj ka shprehur shqetësimin e tij për mosprezencën e kryetarit të Prishtinës në mbledhjet e asamblesë.
“Shpend Ahmeti ka shumë muaj që nuk vjen në kuvend. Ai e ka zgjedhur rrugën e bojkotit. Ai e ka thënë haptazi se do të kërkojë që kuvendi të shkojë në zgjedhje”
“Ahmeti pati deklaruar se do ta udhëheqë i vetëm komunën. Në asamble Lëvizja Vetëvendosje është pakicë. E ka të pamundur të qeverisë i vetëm. Këtu është gjeneza e problemit”, ka thënë Qelaj.
Se Lëvizja Vetëvendosje është pro zgjedhjeve të reja për Asamblenë e Prishtinës, e ka konfirmuar edhe Qendron Kastrati, nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk e kuptojmë pse LDK dhe PDK u frikohësohet kaq shumë zgjedhjeve për Kuvendin e Prishtinës. Lëvizja Vetëvendosje është e interesuar për zgjedhje, për shkak se ato reflektojnë në përkrahjen e qytetarëve”.
Të ftuarit kanë debatuar rreth çështjes së bllokimit të funksionimit të kuvendit komunal dhe kanë drejtuar akuza ndaj njëri tjetrit.
“Ne nuk e kemi bllokuar punën e Komunës. Ne kemi kërkuar shkarkimin e drejtorit të Urbanizmit, Liburn Aliut, pasi që ne si kuvend nuk kemi kompetencë ta bëjmë një gjë të tillë. Aliu e ka bllokuar punën e komunës”, ka deklaruar Qelaj.
Kurse, Kastrati ka thënë se janë dy parti të cilat e kanë bllokuar punën e komunës.
“Pas Janarit të këtij viti, kuvendi ka pushuar së funksionuari nga dy subjekte, LDK dhe PDK”, ka pohuar Kastrati.