Lajmet e fundit

Kandidati për deputet i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka folur për reagimin kundërshtues të një grupi të qytetarëve të Skenderajt ndaj tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet të hënën.
“E para, duhet të kuptohet situata që pramë kishim një rast të rëndë të humbjes së tri jetëve në Çubrel. Ne si PDK kemi vendosur që t’i suspendojmë aktivitetet politike në Skenderaj”, ka thënë Haxhiu në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Në ditën kur është suspenduar aktiviteti politik në Skenderaj, Lëvizja Vetëvendosje me Kurtin kanë ba përpjekje që me e tensionu situatën në Skenderaj për qëllimet e tyre politike, elektorale".
"Është fyese për Drenicën që dikush që ka komunikuar me Radojçiqin për të eliminuar nga paga minimale veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vijë të mbajë tubim të hapur. Është e njëjta qeveri që për katër vjet Drenicën e ka lanë pa ujë. Ka djegur projektin e ujësjellësit për Skenderajn, dhe është e njëjta qeveri e cila nuk ka mbështetur Skenderajn dhe qytetarët e këtij vendi kur e kishte fatkeqësinë e vërshimeve”.
“Dhe një qeveri e tillë që refuzon dhe injoron drenicasit, normalisht që ka reagime të qytetarëve ndaj kësaj qeverie e cila për katër vjet ka injoruar Drenicën dhe i ka ofenduar me pjesëmarrjen e saj aty, me Mimoza Kusari-Lilën e cila ka komunikuar me Radojciqin duke ofenduar pjesëtarët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare”.