Lajmet e fundit
Ish gangsteri ka folur për tradhtinë e shefit dhe të rrethit të tij, për atë që e "shiti tek federalët" dhe vendimin që mori për të bashkëpunuar edhe ai me ta.

John Alite, ish-gangsteri më i njohur shqiptar dhe dikur një nga njerëzit e afër të ish narko-shefit John Gotti, ka thënë në një rrëfim ekskluziv për Info Magazine se ka disa pista dyshimi mbi atë se kush e "shiti atë tek federalët".
Ai ka treguar se sa ishte i burgosur në Brazil kishte dëgjuar se John Gotti, i riu, po spiunonte të gjithë familjen, gjë të cilën e vërtetoi kur u ekstradua për t'u gjykuar në Amerikë, njofton Klan Kosova.
"Në burgun brazilian dëgjoja italianët tek dëshmojnë dhe spiunojnë kundër meje njëri pas tjetrit. Më pas, nga anëtarë të familjes Gambino, mësova se John Gotti i riu do të takonte fshehurazi zyrtarë të qeverisë. Kisha miq që erdhën të më vizitonin në Brazil, të cilët ma dokumentuan se Johnny i riu ishte spiun... Ndaj e dija që do të dëshmonte për të gjitha krimet që kisha bërë për 20 vjet. Në këtë botë pret që ata poshtë teje të të spiunojnë. Por jo edhe shefat, kapitenët e familjes Gambino, që në deklaratat hapëse thoshin se unë jam vrasësi dhe ata thjesht kapitenë... Këta tipa po spiunonin hapur. Dhe mendonin se mund ta bëjnë këtë sepse janë italianë, ndërsa unë shqiptar... Kështu, kur më ekstraduan, iu qasa më shumë dokumenteve, dhe në deklaratën hapëse thashë se John Gotti i riu është si Whitey Bulger – një bos i famshëm i mafias që po bënte lojë të dyfishtë, duke i ofruar informata qeverisë, ndërsa vazhdonte punën. Njëjtë si Gotti i riu. Pastaj ai del në gazetë dhe në medie tjera, për të ndërruar rrëfimin disa herë: po bashkëpunoja vetëm pak... vetëm për të dëmtuar armiqtë. Por ai nënshkroi ato dokumente, të cilat dolën tek një vit pas. Kjo do të thotë se ata e lanë të lirë për një vit, ndërsa bashkëpunonte dhe u jepte informata si Informator i Fshehtë".
Alite ka deklaruar se ai u nxor përpara ligjit si rrjedhojë e spiunimit që iu bë dhe për këtë ka disa pista dyshimi, njofton Klan Kosova.
"Vendndodhjen time mund ta kenë dhënë disa persona. Disa thonë se ishte Gotti, të tjerë se ishte Jimmy Cadicamo, që drejtonte klubin tim të natës; një djalosh të cilin sapo e piketova u fut në listën e të rrezikuarve nga vetëvrasja, ngaqë kishte frikë se do ta vrisja. E këtillë është jeta, pa kurrfarë besnikërie". /klankosova.tv