Lajmet e fundit

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila i ka shprehur ngushëllimet familjes Bicurri për vdekjen tragjike të Uliks Bicurrit, veteran i UÇK-së, tani punëtor në kompaninë KEDS.
Më poshtë mund ta lexoni telegramin e plotë të së parës së Gjakovës:
Telegram Ngushëllimi
E nderuara familje Bicurri, të nderuar bashkëpunëtor të Uliksit,
Me dhimbje të thellë, sot në mëngjes morëm lajmin e hidhur për vdekjen tragjike të z. Uliks Bicurri –Veteran i UÇK-së nga Brigada 137 Gjakova dhe Nën/Oficer i TMK-së, tani punëtor në kompaninë KEDS.
Kjo vdekje shumë e rëndë për ju si familjarë, na tronditi edhe neve si bashkëqytetarë, sepse Uliksi i mbijetoi momenteve më të rënda të vendit tonë, ndërsa sot gjeti vdekjen në krye të detyrës së tij, në kompaninë KEDS. Duke kujtuar kontributin e tij për qytetin dhe shtetin, ne me pikëllim të thellë kujtojmë kontributet dhe virtytet e tij në të mirë të qytetarëve si dhe guximin e tij prej luftëtari në Brigadën "Gjakova 137".
Me përulje ngushëllojmë familjen Bicurri, shokët e UÇK-së dhe kompaninë KEDS, duke shprehur respektin dhe nderimet më të larta për birin, shokun dhe punëtorin tuaj.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Sinqerisht,
Mimoza Kusari Lila
Kryetare e Gjakovës