Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastin Kurz, i cili në Kosovë po qëndron për një vizitë zyrtare.
Në këtë takim u bisedua për fuqizimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, e sidomos për fushën e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen austriake në proceset integruese.
Mustafa e njoftoi Kurz për progresin e Kosovës si dhe përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin e gjithanshëm të vendit.
Ai gjithashtu e shprehi mirënjohjen për përkrahjen e madhe të Austrisë për Kosovën si dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve e sidomos për fushën e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve.
Kurse në lidhje me dy çështjet e ngritura nga opozita, Mustafa, i tregoi Kurz për adresimin ligjor të këtyre dy temave.
“Qeveria e Kosovës ka ftuar në vazhdimësi dhe është plotësisht e gatshme për dialog brenda institucioneve dhe për adresimin e të gjitha çështjeve duke mbrojtur plotësisht interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Kurse kryediplomati austriak e vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë duke e theksuar edhe njëherë përkrahjen e mëtejshme të Austrisë.
Gjithashtu Kurz, tha se opozita duhet të largohet nga dhuna dhe që duhet të zgjidhja të bëhet me dialog.