Lajmet e fundit

Kryeministri Albin Kurti ka uruar shtetin gjerman në 31 vjetorin e bashkimit të vendit.
“Programi 10-pikësh për bashkimin e dy Gjermanive i kancelarit Helmut Kohl, i paraqitur më 28 nëntor 1989 para Bundestagut, u realizua më 3 tetor 1990 në një atmosferë gëzimi e lotësh, feste e mirëkuptimi. Vendosja e procesit të bashkimit të Gjermanisë në kuadrin e parimit të vetëvendosjes dhe si vazhdim i Evropës së bashkuar paraqet artin e lartë të të kuptuarit të frymës integrative të kohës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Më 3 tetor 1990 flamuri gjerman valoi i lirë në Sheshin e Republikës në Berlin. Aty valon dhe sot. Qytetarët gjermanë morën frymë të lirë, pa murin e Berlinit, pa kufirin dhe ideologjinë që i ndante. Rënia e Murit të Berlinit krijoi një moment lirie dhe entuziazmi, jo vetëm në Gjermani, por gjithandej botës, në mënyrë të veçantë te ne shqiptarët. Në këtë ditë kombi gjerman e zuri vendin e vet të merituar në Evropë, Evropa e theu murin ndarës ideologjik, kurse bota i dha fund Luftës së Ftohtë”.
“Në fakt bashkimi i Gjermanisë u realizua përmes përgjegjshmërisë së lartë politike të të gjithë pjesëmarrësve, si dhe vetëdijes e respektit për suksesin ekonomik dhe social të Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Ribashkimi erdhi edhe si rezultat i diplomacisë së shkëlqyeshme të Gjermanisë. Procesi negociues për bashkim mund të konsiderohet një nga veprat më mjeshtërore të diplomacisë së lartë në shekullin e 20-të”.
“Me këtë rast, Kancelares Angela Merkel, Qeverisë Federale të Gjermanisë dhe gjithë popullit mik gjerman i urojmë Ditën e Bashkimit”, ka përfunduar kryeministri.