Lajmet e fundit

Selver Lenjani, kryetar i fshatit Karaçevë të Kamenicës, po kërkon që për 70 hektar tokë, që i ka përfshirë Serbia nën kufirin e saj që nga 2001, të diskutohet në Bruksel.
Për këto toka, nuk dihet saktë se a do flitet në takimin mes Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiq.
Porse, ditë më parë, Presidenti serb, i çoi mesazh Kurtit, që doemos duhet të flas për tokat e komunave serbe, ose mos të shkoj fare në Bruksel.
E se a do të flet për Asociacionin e Komunave Serbe në takimin e parë, Mimoza Kusari Lila e Vetëvendosjes, thotë që Kryeministri do të tregoj të premten në raportim mbi dialogun në Kuvend. Kusari tha se “kjo është çështje që Kryeministri Kurti do ta prezantoj para deputetëve nëse ka. Nuk kam informacion se ka pikë të tillë për diskutim edhe pse ka deklarime të ndryshme”.
Se nuk duhet të diskutohet fare tema e një asociacioni me kompetenca ekzekutive e thonë edhe nga PDK-ja opozitare.
E nga pushteti, tashmë është pranuar rreziku që po i kanoset Kosovës nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, një ditë me herët, në Shqipëri tha se dëmi më i madh do të ishte krijimi i një entiteti territorial serb brenda Kosovës, e që do kontrollohej nga Serbia.
Aktualisht, Asociacioni i vetëm që operon në Kosovë, është ai i komunave të Kosovës, i cili operon vullnetarisht, pa kompetenca ekzekutive.
Sazan Ibrahimi thotë që legjislacioni vendor dhe ai ndërkombëtar në kuadër të Kartës Evropiane, nuk lejohet që një asociacion të ketë kompetenca ekzekutive.