Lajmet e fundit
Albin Kurti në një intervistë për Epoka e Re ka thënë që mobilizimi i popullit është shumë më i madh sesa në janar dhe se njerëzit ngado nëpër Kosovë po kërkojnë protestë.

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar se partitë opozitare janë duke punuar për mobilizim kudo në Kosovë, sepse rasti është shumë urgjent.
Kurti, në një intervistë për Epoka e Re, ka deklaruar se kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duhet të ngriten të gjithë.
“Nuk kemi nevojë për një dordolec në Qeveri, por për një kryeministër që merr përsipër ta përfaqësojë të tashmen dhe të ardhmen e vendit të vet”.
“Secila Qeveri që do të mund të vijë pas tij, do të përballet me të njëjtin problem. Unë po ju them këtu, se nuk ka rëndësi se cili është emri i kryeministrit, por nëse marrëveshja për asociacion vjen përsëri për miratim, populli duhet të ngrihet në këmbë”, ka thënë Kurti, për Epoka e Re.
Ai ka deklaruar se nëse kryeministri aktual, Isa Mustafa, nuk e kthen marrëveshjen për asociacionin duke e anuluar atë, atëherë kjo Qeveri nuk do të ketë kohëzgjatje të mjaftueshme për t’i dhënë fuqi asaj marrëveshjeje.
"Opozita e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje e ka edhe vullnetin, edhe guximin, edhe besimin për ndryshime, prandaj ajo është shpresa për ndryshime", ka deklaruar Kurti.
"Mobilizimi duket shumë më i madh sesa në janar, apo në herët e mëparshme. Njerëzit kudo që shkojmë po na luten ta shpallim sa më shpejt protestën, pasi ka padurim për shumë arsye. Nuk janë vetëm asociacioni dhe demarkacioni, por edhe papunësia, rritja e çmimeve, shkatërrimi i shkollave e i spitaleve. Asgjë nuk po shkon mirë”.