Lajmet e fundit

Kurti tha se opinioni i 22 korrikut 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë fund, sipas tij, një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës.
"Ky opinion riafirmoi një parim me vlerë universale: e drejta ndërkombëtare nuk ekziston për të ruajtur padrejtësinë apo për ta bërë historinë të pakthyeshme, por për të krijuar hapësirë që paqja, liria dhe vetëvendosja demokratike të gjejnë shprehje brenda rendit juridik ndërkombëtar. Kur e drejta interpretohet me integritet, ajo nuk bëhet pengesë për lirinë, por garanci e saj", ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se për Kosovën ky ishte një moment që forcoi themelet e subjektivitetit ndërkombëtar, ndërsa për bashkësinë ndërkombëtare përbënte një sqarim të rëndësishëm se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë dhe se secili rast duhet të vlerësohet mbi faktet dhe normat që e karakterizojnë.
Kurti shtoi se mbrojtja e kësaj trashëgimie bëhet përmes forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës.