Lajmet e fundit

Kryeministri Albin Kurti, me anë të një postimi në platformën X falënderoi Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Universitetin St. Gallen që e mirëpritën për një adresim dhe bisedë me studiuesin e njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Christoph Frei, mbi temën “Investimi në të ardhmen e Kosovës: Roli i politikës dhe ekonomisë në formësimin e mundësive dhe tejkalimin e sfidave për gjeneratën e ardhshme”.
I pari i qeverisë kosovare shprehet se foli për siç tha, progresin e njohur ndërkombëtarisht demokratik dhe rritjen ekonomike të Kosovës, si dhe për lidhjen mes të dyjave.
“Kam diskutuar gjithashtu për mënyrat e drejtpërdrejta dhe të prekshme në të cilat programi social demokratik i qeverisë sonë ka përmirësuar jetën e qytetarit mesatar të Kosovës, në sektorë që nga shëndetësia dhe arsimi i lartë, e deri te pensionet dhe pagat e sektorit publik”, shkroi Kurti.
Kryeministri është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Zvicër.
Në njoftimin e Kryeministrisë është thënë se të premten, ai do të ketë takime me përfaqësues politikë e institucionalë të shtetit të Zvicrës.