Lajmet e fundit

Sonte do të zhvillohet derbi më i madh lokal në futbollin e Kosovës, ku me fillim nga ora 20:00 Gjilani dhe Drita janë protagonistët e kryendeshjes së javës së 26-të në Superligën e Kosovës.
Për këtë ndeshje, ka shkruar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti ka thënë që përkundër që ka marrë ftesë nga të dyja ekipe për të parë ndeshjen në stadiumin "Fadil Vokrri", për shkak të disa angazhimeve politike ai nuk do të marrë pjesë.
"Tifozët e dy klubeve të futbollit nga i njëjti qytet, ata të Dritës dhe ata të Gjilanit, sot do të përballen në një derby, në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Miq të mi, tifozë nga të dyja grupet më kanë ftuar të shkoj në stadium për ta përcjellë lojën, por sot nuk mundem për shkak se do të jem në Kumanovë, në një tubim mbështetës për Prof. Blerim Rekën, kandidatin për President në Maqedoni".
"Ua uroj të dyja tifozerive një lojë sa më të bukur dhe plot emocion, siç dinë të jenë derby-t. Unë nuk e përcjell shpesh futbollin prej stadiumeve, për shkak të punëve në organizim, megjithatë premtoj se do të gjej patjetër kohë të vij në derby-n e radhës, në respekt të këtyre futbollistëve e skuadrave cilësore, por edhe në respekt të kulturës së tifozerisë të dy grupeve rivale", shkruan Kurti në Facebook.