Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por Kurti shtoi se dokumenti i propozuar u refuzua “ende pa u lexuar” nga ana e kryetarit serb.
Kurse vetë Vuçiq deklaroi se nuk u morën vesh për asgjë dhe se Kurti sipas tij “ më shumë jeton në të kaluarën e largët sesa në të ardhmen”.
Nga ana e tyre ndërmjetësuesit e takimit kryediplomati evropian Josep Borrell dhe emisari për dialog Miroslav Lajçak, thanë se takimi ishte “vërtetë i zorshëm” e me pak përparime.
Sipas emisarit i vetmi përparim është se palët u pajtuan të takohen në nivel teknik në muajin gusht kurse në shtator në nivel liderësh.
“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara” - tha krejt para nisjes së takimit Borrell.