Lajmet e fundit

Kryeministri Albin Kurti nuk i është përgjigjur as sot ftesës së presidentit Hashim Thaçi.
Ky i fundit në një konferencë për media tha se takimi më vonë se kur të merren vendimet e padëshiruara për Kosovën mund të jetë i pavlerë, njofton Klan Kosova.
Thaçi gjithashtu tha se në asnjë mënyrë nuk duhet vepruar kundër kërkesave amerikane duke e cilësuar si aleatin e vetëm që nuk e kanë lënë Kosovën në lloç asnjëherë.
“Në shërbim të obligimeve kushtetuese dhe përgjegjësive kombëtare dhe qytetare edhe dje e kam ftuar që të takohemi dhe të bisedojmë për zhvillimet e reja që janë dramatike dhe shqetësuese për vendin. Edhe sot përsëri pati refuzim për të ardhur për tri a katër mundësitë e ofruara që të takohemi në disa termine. Do të ishte në interes që të gjithë të shpenzojmë energji për përafrim të hapave që do të ndërmarrim”.
“Kosova nuk është pronë e një individi apo grupi, është atdhe i gjithë qytetarëve dhe e çdo lideri me përgjegjësi qytetare dhe parlamentare. Duhet të punojmë dhe të shkojmë përpara me qëndrime unike që është zhvillimi ekonomik dhe ruajtja si sytë e ballit e partneritet strategjik me aleatët perëndimorë e në veçanti me adresën e kontributit madhor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me SHBA-të”.
“Prandaj, mesazhi është që kryeministri duhet të merr vendimet që i takojnë dhe janë në përputhshmëri me interesin e qytetarëve të Kosovës dhe të mos vonohet në vendimmarrje që e çojnë vendin në drejtim të gabuar historik, por në atë drejtim që të jemi pjesë e NATO-s dhe e BE-së”.
Megjithatë, Thaçi tha se ftesa është e hapur për Kurti kurdo që ai ka kohë.
“Shpresoj që kryeministri të vijë të takohet, jo pse e ka obligim, por përgjegjësi edhe si lider i partisë edhe si kryeministër”.