Lajmet e fundit

Kryeministri Albin Kurti la të nënkuptohej se pikat kufitare të Jarinjës e Bërnjakut do të mund të digjeshin nëse atje nuk do të ishin të vendosura njësitë speciale të policisë që u pozicionuan në veri pas vendosjes së reciprocitetit për targat.
Policë nuk pati pas mesnatës edhe në qendrën e regjistrimit të automjeteve andaj ajo dyshohet se u dogj nga serbët, veprim ky që edhe e nxori Kurtin në konferencë.
"Veprimet kriminale të sotme me elemente terroriste janë të tilla sepse krimi, tensioni, frika, kontrabanda dhe kaosi kanë qenë mbijetesë për ta për 2 dekada...".
Për këtë veprim po kryhen hetime intensive për të cilat foli ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
E krejt këto veprime kriminale sipas qeveritarëve po inkurajohen nga Serbia autokrate, të cilët nuk i lanë provokimet me kaq.
Të shtunën në të paktën tri herë pranë kufirit në Jarinjë u panë edhe avionë ushtarakë të tipit MIG. As këto nuk janë veprime të mjaftueshme që Kosova ta shtojë forcën e saj në veri.
"Sigurisht që janë parë avionët e prodhimit rus e edhe helikopterët nuk kemi pritë veprime korrekte nga Serbia sepse i njohim kush janë por veprimet i marrim pas vlerësimit të situatës së sigurisë. Tash për tash jemi në këtë gjendje sepse të këtillë e kemi vlerësuar...", ka thënë Kurti
Ndërkaq nisjen e tankeve ushtarake, e komentoi si video që nuk është medoemos e këtyre ditëve.
E nëse ushtria nuk ka punë në veri, edhe Policia tërhiqet vetëm atëherë kur përfundojnë protestat.
Me kaq shumë fjalor të pasur me forcë e artileri, nga Beogradi zyrtar u deklaruan se veprime të tilla i paraprinë një lufte që mund ta nisë vetëm një budalla, duke e cilësuar të tillë kryeministrin kosovar.
Kurti pati një përgjigje edhe për Aleksandër Vulin, kreun serb të mbrojtjes.
"Mjafton të thuhet për të se ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviqit që aso kohe është quajtur Jul dhe i përkiste atyre zyrtarëve serbë që e konsideronte që Millosheviqi nuk është mjaftueshëm radikal".
Kosova ka pranuar të diskutojë për reciprocitetin e targave pas ftesës nga organet në Bruksel çka Serbia e ka refuzuar, njofton Klan Kosova.