Lajmet e fundit
Jeta tjetër e Ibrahim Kodrës. Fatos Faslliu tregon ditët e fundit të piktorit dhe dashuritë e mbetura diku.

“Teksa loti rrjedh në fytyrë, kam kuptuar shumë gjëra, pas kaq muajsh unë e di, se çfarë jam për ty… Një vështrim e një buzëqeshje, më zbuluan sekretin tuaj, që ju më keni dashur, dhe më doni ende…..”
Teksa mbrëmja binte mbi Milano, zëri i Bobi Solo me këngën “Con una Lacrime” mbushte hapësirën e shtëpisë së Ibrahim Kodrës.
Qëkur Matildë kishte ikur, kjo lirikë e njohur italiane ishte bërë si refren që e çonte në kohën kur ajo ishte pranë tij. Në biseda me miq ai fliste shpesh për të, aq sa kur në ndonjë bar dëgjohej kjo këngë, ai s’mund të fshihte lotët.
Ibrahim Kodra ishte aq i vërtetë kur dashuronte, dhe nuk kishte drojë të fliste për mallin për një grua.
E veshur me një xhaketë me viza të holla, dhe flokët e gjatë, Matildë duket e lumtur pranë tij, në një foto të bërë vite më parë. Drurët e zhveshur pranë tyre të kujtojnë vjeshtën e vonë. Por, ka gjithnjë një histori tjetër përtej një fotoje, e cila në këtë rast na grish imagjinatën.
Thjesht një shëtitje e dy të dashuruarve në një park në një pasdite vjeshte, apo një zbulim i papritur pas një ecjeje të gjatë… Matilda, një arkitekte milaneze 30 vjet më e re se Kodra, ka qenë vajza që i theu zemrën artistit.
Kaq vite nga kjo ndarje, dhe nga ndarja nga jeta e Kodrës, është Fatos Faslliu, njeriu që sot trashëgon të drejtën mbi veprat e tij, që e sjell këtë histori, përmes kujtimeve për fytyrën e trishtuar të Kodrës pas ikjes së saj.
Gati 10 vjet nga ndarja nga jeta e Ibrahim Kodrës, një prej personazheve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, jeta e tij ka mbetur pothuajse e panjohur, e kyçur në shtëpinë e tij në Milano.
Nuk janë vetëm historitë e zemrës, ato që do ta bënin të plotë dimensionin e Kodrës si artist e njeri, por dhe qindra shënime, letërkëmbime, apo koncepte të lëna prej tij për artin…
Fatosi e quan shtëpinë e mjeshtrit si një pasuri për kulturën shqiptare, e cila kërkon një grup studiuesish për t’u hulumtuar. Asnjë vend nuk do të ishte indiferent ndaj një pasurie të tillë, e cila është pasaporta më e mirë për identitetin tonë.
Disa javë më parë vendosja e një skulpturës së tij “Katër stinët e jetës” kaloi pothuajse në heshtje.
“Kodra e donte këtë skulpturë”, shprehet Fatosi, njeriu që në shtatorin e vitit 1990, teksa kishte lënë Shqipërinë për shkuar në Itali, një taksist në Milano do ta drejtonte drejt shtëpisë së Ibrahim Kodrës. Me shqetësimin e një jete të re që sapo kishte nisur, Fatosi nuk mund ta mendonte se ky takim do të ndryshonte jetën e tij.
Sot ai është njeriu që vazhdon të rendë pas pikturës së Kodrës, duke u kujdesur si për një thesar, për gjithçka ai ka lënë pas, i bindur se ky është misioni i tij më i rëndësishëm tashmë në jetë…
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu.