Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës është në dilemë se me çfarë seance të nisë sesionin pranveror, me seancë pune, apo me seancë për zgjedhjen e presidentit të ri.
Nga burime brenda Kuvendit, Radio Kosova merr vesh se data 11 shkurt po përmendet si datë e mundshme për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit. Zyrtarisht nuk e konfirmon askush një gjë të tillë, ndërkohë që opozita thotë se e vetmja pikë që mund të diskutohet është caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme.
Këtë javë do duhej të mblidhej Kryesia e Kuvendit për ta caktuar një datë për mbajtjen e seancës së parë plenare për sesionin pranveror.
Analistët politikë kanë bërë thirrje që para se Kuvendi të nisë seancat plenare, palët të ulen të bisedojnë për dalje nga kriza. Albert Krasniqi nga KDI-ja thotë se duhet të reflektojnë të dyja palët, edhe opozita edhe partitë në pushtet.
“Të dy blloqet duhet ta kuptojnë që kanë dështuar në përpjekjet që i kanë bërë dhe të dyja kanë dhënë deklarime të cilat është dëshmuar se kanë qenë të gabuara, qoftë partitë në pushtet të cilat kanë thënë se kjo marrëveshje është në plotëni me Kushtetutën, qoftë partitë opozitare, të cilat kanë thënë se në mënyrë institucionale nuk mund të ndalet kjo marrëveshje”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.
Edhe presidentja Atifete Jahjaga një ditë më parë ka thënë se dera e saj është e hapur për partitë politike. Edhe Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja thotë se duhet të ketë takim mes subjekteve politike, por thotë se aty duhet të diskutohet vetëm një çështje.
“I vetmi moment kur duhet të mblidhemi dhe të takohemi është moment në të cilin do të dakordohemi për datën e zgjedhjeve. Nuk është e rëndësishme ku takohemi, e rëndësishme është që të takohemi me një pikë të vetme të rendit të ditës, që do të jetë caktimi i datës së zgjedhjeve”, tha Kadaj-Bujupi.
Ndryshe, Kryesia e Kuvendit ditë më parë mbajti mbledhje por nuk e caktoi seancën plenare. Kryeparlamentari Kadri Veseli pas kësaj mbledhje tha se gjatë shkurtit do të ketë komunikim më intensiv me opozitën, ndërsa shprehu besimin se gjatë këtij muaji do të zgjedhet edhe presidenti i ri.