Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ku ka kërkuar që Kosova të ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të shkollave elitare sportive, një model që tashmë funksionon me sukses në shumë vende të Evropës.
Ai thekson se Kosova, si shtet i ri me një potencial të madh të të rinjve në sport, ka nevojë urgjente për struktura që bashkojnë edukimin dhe sportin, sidomos për moshat 14-18 vjeç, të cilët shpesh përballen me sfida për të balancuar stërvitjet dhe shkollimin cilësor, transmeton Klankosova.tv.
“Po kërkojmë rezultate, por s’po u mundësojmë stërvitje elitare dhe edukim të nivelit të lartë. Koha të reflektojmë, përndryshe rezultatet do jenë të zbehta për talentët tanë”, shkruan Kuka.
Ai përmend shembullin e Gjermanisë, ku përfaqësues nga shkolla elitare sportive e Potsdamit vizituan Pejën për të prezantuar modelin e tyre, ku sporti dhe edukimi ecin krah për krah.
Kuka apelon që trajnerët e të gjitha sporteve të ngrenë zërin dhe të kërkojnë mundësi më të mira për sportistët e rinj, duke ndjekur shembujt e shteteve të suksesshme në këtë fushë.
“Skemi nevojë të zbulojmë asgjë, mjafton të ndjekim shembuj të shteteve të fuqishme në sport”, shtoi ai.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.