Lajmet e fundit
Andon Zako Çajupi është kujtuar dje përmes një simpoziumi me rastin e 85-vjetorit të vdekjes në Muzeun Historik Kombëtar.

“Andon Zako Çajupi (1866-1930), Tomorri i poezisë shqipe”, quhej aktiviteti që bëri bashkë njohës të letërsisë dhe kontributit të Çajupit për letrat shqipe.
“Simfonia çaupjane përshkohet nga dy tema të mprehta: atdheu dhe dashuria. Duke lexuar veprën e Çajupit na shtohet dashuria për atdheun dhe na ringjallet ndjenja kombëtare. Çajupi është cilësuar nga kritikët e letërsisë si “Tomorri i poezisë shqipe”.
Tomorri është për poetin “Kish e Shqipërisë, fron i Perëndisë”.
Tomorri është vendi ku poeti bie gjunjë dhe lutet për fatin e Shqipërisë. Zëri i “Baba Tomorrit” është zëri i Çajupit, i cili kërkon t’i bashkojë shqiptarët dhe t’i sjellë në udhën e mbarë.”, u shpreh në fjalën e tij drejtori i muzeut, Melsi Labi.
Akademiku Jorgo Bulo mbajti kumtesën: “Çajupi midis së shkuarës dhe së ardhmes” ndërsa akademikja Floresha Dado mbajti kumtesën: “Çajupi fabulist”.
Nëndrejtori i muzeut, Dorian Koçi, foli për motivet homerike në veprën e Çajupit dhe Kavafit.