Lajmet e fundit
Hajredin Kuçi: Më lejoni t`ju shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta, dhe si mik i familjes Gërvalla t`ju siguroj se nuk jeni vetëm në këto ditë të rënda.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së poetit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Zeqir Gërvalla për vdekjen tragjike të birit të tij, Jehon Gërvalla, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Lajmi për vdekjen tragjike të birit tuaj, Jehonit më ka tronditur dhe prekur thellë”.
“Duke bashkëndjerë me ju këtë dhimbje më lejoni t`ju shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta, dhe si mik i familjes Gërvalla t`iu siguroj se nuk jeni vetëm në këto ditë të rënda”, ka shkruar Kuçi në telegramin e ngushëllimit, transmeton Klan Kosova.
“Unë kujtoj me respekt të veçantë njohjen dhe bashkëpunimin që kam pasur me Bacën Zeqë në gazetën ‘Bota e Re’ ashtu siç vlerësoj lart kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të çështjes kombëtare”.
“Askush më mirë se Baca Zeqë nuk i’a ka njohur plagët dhe dhimbjet Kosovës, e cila ka ndjerë dhimbje kur ai mërgoi nga vendlindja për të cilën kishte punuar dhe vuajtur aq shumë”.
“Baca Zeqë ka qenë për të gjithë një burim frymëzimi dhe force, dhe jam i bindur se ai edhe në këto momente të rënda do të gjejë forcën dhe kurajën për të përballuar këtë gjëmë dhe do t`i ndihmojë edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë”, përfundon letra ngushëlluese e Kuçit.