Lajmet e fundit
Hajredin Kuçi: Sektori i të drejtave pronësore është i drejtë dhe efikas atëherë kur qytetarët i kanë të garantuara të drejtat e tyre pronësore dhe me lehtësi i gëzojnë ato në praktikë.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID-in, për hartimin e Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, me ç’rast u diskutua për identifikimin e shtyllave tematike që përfshijnë një spektër të gjerë të sfidave lidhur me të drejtat pronësore.
Kuçi tha se Ministria e Drejtësisë ka marrë besimin që gjatë këtij mandati, të udhëheqë procesin e identifikimit të politikave dhe masave për harmonizimin e legjislacionit që rregullon çështjen e të drejtave pronësore
“Sektori i të drejtave pronësore është i drejtë dhe efikas atëherë kur qytetarët i kanë të garantuara të drejtat e tyre pronësore dhe me lehtësi i gëzojnë ato në praktikë”.
“Legjislacioni i harmonizuar dhe institucione me mandat të definuar qartë sigurojnë garantimin dhe gëzimin në praktikë të kësaj drejte thelbësore, si dhe kontribuojnë në kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi”, tha Kuçi.
Sipas tij strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore, drejtohet nga tri prioritete thelbësore, të ndërlidhura, që Republika e Kosovës i ka vënë para vetes: fuqizimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.
Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore do të udhëzojë institucionet e Kosovës për të adresuar një sërë çështjesh në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe që korniza ligjore dhe institucionale të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kuçi gjithashtu është përqendruar ne nevojën e institucioneve që të bëjnë analizimin e politikave konkrete për kompenzim të pronave të konfiskuara nga regjimi komunist.
Ai ka garantuar mbështetje të plotë gjatë këtij procesi, duke pritur veprime konkrete nga akterët relevant në hartimin e strategjisë dhe definimin kohor për miratimin dhe implementimin e kësaj strategjie.