Lajmet e fundit

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sali Asllanaj, i ka bërë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend.
Asllanaj në një intervistë për Epokën e Re ai ka vlerësuar se është një pamje jo e këndshme në Kuvendin e Kosovës meqë po mungon debati i mirëfilltë në mes të pozitës dhe opozitës.
“I bëj apel opozitës të kthehet në Kuvend, sepse aty ka hapësirë të mjaftueshme t’i prezantojë të gjitha idetë. Natyrisht nuk është e përjashtuar edhe forma që përmes protestave të prezantohen qëllimet politike, por Kuvendi është vendi ku debatohet dhe ngërthehen argumentet e palëve të ndryshme”, ka deklaruar Asllanaj.
Ai ka thënë se pamjet e gazit lotsjellës në Kuvend dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore me koktej molotovi nuk janë imazhe pozitive për vendin tonë.
Sipas Asllanajt, kriza politike do të tejkalohet me sukses vetëm duke u respektuar rregullat demokratike dhe ligjet.
“Opozita e ka një synim, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Kjo po shndërrohet në një precedan që çdoherë pala e pakënaqur, në këtë rast humbësit e zgjedhjeve, pretendojnë zgjedhje të parakohshme. Prandaj, ky model nuk është shumë i pëlqyer, sepse krijon destabilitet të përhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Asllanaj.