Lajmet e fundit

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, të enjten do të vizitojë Kosovën për herë të parë.
Në kuadër të kësaj vizite gjykatësja Ekaterina Trendafilova së bashku me Administratoren e Dhomave të Specializuara, Dr. Fidelma Donlon, do të takohen me përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
Gjatë vizitës, Trendafilova do të mbajë gjithashtu takime dypalëshe me zyrtarë të qeverisë si dhe me organizata vendore e ndërkombëtare për të diskutuar veprimtarinë e Dhomave të Specializuara, njofton Klan Kosova.
Në veprimtarinë informuese, Kryetarja dhe Administratorja do të prezantojnë strukturën, zhvillimet më të fundit ligjore dhe punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në kohën kur u zgjodh në krye të Gjykatës Speciale, Trendafilova kishte thënë se gjykata e sapokrijuar me bazë në Hagë, që do të gjykojë ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk do të jetë etnikisht e njëanshme, pasi do të gjykojë vetëm kriminelët e dyshuar, jo vetëm organizatën guerilase.
Ndërkaq, deri më tani ende nuk dihet saktë se kur do të ngrihen aktakuzat e para të kësaj Gjykate, ani pse është raportuar në vazhdimësi se ato do të ndodhin në fund të vjeshtës së këtij viti.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, edhe zyrtarisht ka nisur punën e saj në konsolidimin e ekipit, i cili do të merret me hetimin e krimeve të supozuara të UÇK'së, në janar të 2017.