Lajmet e fundit

Një film me background të thellë social, ky ishte premtimi që Bujar Alimani kishte bërë gjatë prezantimit të skenarit të filmit “Gold” (2014), tashmë “Krom” (2015). Këto detaje u shpalosën edhe dje te premiera e filmit “Krom”, regji dhe skenar të Bujar Alimanit. Një film, që në qendër kishte një familje me konflikte dhe “luftën” për pushtet brenda saj, një film që ndalej te dashuria, arsimi, puna, mungesa, lidhja e gjakut, pendesat dhe refleksionet, një film që kthimin e ka si fund ciklik dhe në fund rinisjen si shpresë…
Tre pjesëtarë të një familjeje jetojnë të veçuar nga qyteza. Një nënë memece dhe e papunë duhet të rrisë dy fëmijët e saj. Një lidhje gjaku që vështirë se mirëpritet në një qytezë si Bulqiza dhe një imazh i përgjithshëm me fëmijë, që punojnë për të nxjerrë krom nga miniera. Këto detaje ta përforcojnë edhe më shumë mendimin se Alimani nuk heq dorë nga tematikat sociale, nga historitë e thjeshta njerëzore, nëpërmjet të cilave kësaj here është në fokus familja.
Regjisori shpjegoi dje se: “Fokusi im qysh në fillim ka qenë te familja. Kam dashur që të merrem me këtë. Ju e patë që në film nuk jepet shfrytëzimi makabër i fëmijëve, ky nuk ishte qëllimi im. Për mua qëllim kanë qenë marrëdhëniet e ngushta e shumë të forta mes anëtarëve të një familjeje. Do vazhdoj të jem besnik ndaj këtyre temave”, thotë Alimani. Gjatë filmit, metafora e heshtjes, mungesës së fjalës, vjen jo vetëm për një nënë që nuk flet, por në përgjithësi për femrën shqiptare.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë: