Lajmet e fundit

Në publikimin e punimit “Demokracia e Kosovës në rrezik? Paqëndrueshmëria e sistemit partiak, kohëzgjatja e qeverisë dhe kriza institucionale në Kosovë ”, prezantuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), u tha se asnjë qeveri nuk e ka përfunduar plotësisht mandatin.
Krenar Gashi, prezantues i studimit, tha se studimi trajton arsyet pse qeveritë në Kosovë nuk mund të përfundojnë mandatet e tyre qeverisëse,
“Studimi bazohet në 3 fusha shqetësuese: stabilitetin dhe kohëzgjatjen e qeverive, paqëndrueshmëria zgjedhore dhe kohëzgjatjen e proceseve, përfshirë negocimin dhe formimin e koalicioneve qeverisëse pas zgjedhjeve”.
“Krizat institucionale vijnë si pasojë e partive për të mbajtur pushtetin. Është problematike fakti i përzierjes së zyrës së presidentit në pazarët politikë për qeverisje. Negociatat për koalicione qeverisëse në Kosovë bëhet për poste, jo për politika të qëndrueshme. Për 10 vjet shtet Kosova nuk ka parë një parti politike që ka mbajtur mandatin e plotë”, shtoi Gashi.
Jehona Lushtaku, pjesë e panelit të diskutimit, tha se partitë politike kanë dështuar në inkuadrimin e grave në vendimmarrje, raporton EO.
“Kemi parë shpeshherë që brenda partive forumet janë vetëm formale dhe nuk ndikojnë në ndërtimin e kapaciteteve ndërpartiake. Ka qenë dështim total i partive politike në zgjedhjet e fundit, për shkak të numrit të vogël të grave. Partitë politike kanë dështuar në integrimin e grave në vendimmarrje”, tha ajo.
Arben Qirezi, pjesë e panelit, tha se kriza ligjore dhe kushtetuese e bën sistemin politik komplet jofunksional në Kosovë.
Panelisti tjetër, Naim Rashiti, tha se partitë politike nuk e marrin seriozisht kushtetutën, sepse nuk kanë qenë pjesë e punës së saj.