Lajmet e fundit

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi duke theksuar se Shqipëria voton ende me parimin stalinist, ka sulmuar dy partitë e mëdha, PS dhe PD, duke theksuar se “populli voton, ato numërojnë”.
Deklaratën Idrizi e ka bërë gjatë një takim me strukturat në Vlorë. Idrizi pranoi se PDIU mbështet votimin dhe numërimin elektronik.
“Ne e dimë shumë mirë që zgjedhjet zhvillohen me një Kod Zgjedhor të bërë nga dy partitë e mëdha politike, që sot po ankohen. Ne e dimë shumë mirë që Shqipëria po vazhdon të jetë me parimin “Stalinist”, gjithë populli voton, kurse dy partitë e mëdha numerojnë dhe PDIU e ka ndjerë këtë gjë mbi kurrizin e saj. Jemi e vetmja parti politike që na është hequr e drejta për të pasur numëruesin dhe kjo është e shkruar edhe në raportin e OSBE-ODIHR-it. Për sa i përket votimit dhe numërimit elektronik, PDIU ka mbështetur dhe do të mbështesë këtë sistem. Kur vijnë zgjedhjet nuk përgatiten komisionerë dhe numërues, por përgatiten mundësa dhe boksierë. Do doja sot t’i pyesja partitë e mëdha, se ku ishin në një vit e gjysëm? Komisioni për Reformën Zgjedhore ishte aty dhe nuk u mblodh. Mund të mblidhej në çdo moment nga dy bashkëkryetarët. Unë sot prap jam dakort për votimin dhe numërimin elektronik, por nuk e di nëse është e mundur të bëhet me kohën e mbetur”, -përmendi kryetai i PDIU-së.
Në këtë takim Idrizi u shpreh se PDIU ka dhënë votat e saj për reformat e rëndësishme dhe pa asnjë lloj kushti. Sipas tij shqiptarët e Çamërisë janë anti-komunistë dhe PDIU është partia e të gjithë shqiptarëve.
Gjithashtu Idrizi u shpreh se PDIU qëndron në mazhorancë për shkak të kauzave dhe jo për shkak të marrëveshjes.
“Unë jam shumë i lumtur sot që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka qenë nga pikpamja mbështetëse, pjesë e mazhorancës, por ne s’kemi qenë asnjëherë dot pjesë e pushtetit, e megjithatë kemi arritur të shtohemi çdo ditë. Në këto zgjedhje jam i bindur që do t’i dyfishojmë mandatet tona me mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Nëse do të ishte për marrëveshje, ne nuk do të kishim asnjë arsye që të qëndronim në këtë mazhorancë, sepse as 1 % e marrëveshjes që ne kemi bërë nuk është zbatuar. Por, do të kishim shumë arsye të qëndronim për kauzat për të cilat ne jemi krijuar dhe që kemi gjetur mbështetje në këtë mazhorancë. Ashtu siç kemi qenë kritikë dhe do të jemi gjithmonë për kauzat tona që janë lënë mënjanë, apo janë harruar”, – u shpreh Shpëtim Idrizi gjatë takimit me strukturat në Vlorë, shkruan Panorama, përcjellë Klan Kosova.