Lajmet e fundit

22 vjet më parë, fshati Makovc ishte vendi ku takoheshin dy kolona të pandërprera civilësh. Ata ishin kryesisht nga qyteti i Prishtinës, Llapi e Karadaku që kishin gjetur strehë në rajonin e Gollakut me shpresën për shpëtim jete.
Por, jo të gjithë ia dolën. Pleq, fëmijë, gra e burra u larguan nga kolona dhe u pushkatuan nga serbët, pa pikën e fajit.
Banorët e kësaj ane e kujtojnë fort mirë atë periudhë, ndonëse thonë se nuk janë të kënaqur me vëmendjen që mori kjo masakër.
Për të kryer homazhe pranë vendit ku prehen trupat e 93 dëshmorëve, të dielën erdhi edhe presidentja Vjosa Osmani -Sadriu bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca.
Këta të dy bashkë me kryeministrin Albin Kurti, në ditën e dëshmorëve të Prishtinës, bënë homazhe edhe tek varrezat në Velani.