Lajmet e fundit

Bartësit e institucioneve të drejtësisë në vend kanë diskutuar sot për themelimin e një Task Force dhe një trupi i cili do të shërbejë për të monitoruar strategjinë për krimet e luftës së fundit në Kosovë.
Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura për gazetarët, ku më pas Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Bahri Hyseni, Kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe drejtori i Policisë, Rashit Qalaj dolën në një konferencë.
Aty u tha se në takim është diskutuar për dy tema - e para ka të bëjë me krijimin e Task Forcës për të zbardhur faktet e krimeve serbe dhe e dyta që të krijohet edhe mekanizmi për monitorimin e kësaj Task Force.
“Jemi dakorduar që kjo Task Forcë të merret edhe me punët logjistike. Për zbardhjen e fakteve të krimeve të luftës do të bashkëpunojmë edhe me Tribunalin e Hagës”, ka thënë Lumezi.
Ndërsa ministri Tahiri e ka cilësuar këtë takim të një rëndësie të veçantë, njofton Klan Kosova.
“Ju e dini se tashmë e kam propozuar në Kuvend që me Kodin e ri të Procedurës Penale mund të lejohet edhe gjykimi në mungesë dhe kështu do të kemi mundësi që t’i gjykojmë kriminelët edhe kur ata mundohen t’i shmangen drejtësisë”.
Bahri Hyseni njoftoi se ky është vetëm fillimi i punës dhe se në takimin e radhës Këshilli Prokurorial do të dalë me emra konkret për të cilët është i njoftuar prej kohësh për krimet që kanë bërë.